TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ “Ne jemi të përgatitur për të patur edhe 1600 të shtruar, në totalin e kapaciteteve që kemi duke përfshirë edhe spitalet rajonale, sipas tre skenarëve që ne kemi ndërtuar”.
Kështu u shpreh sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një intervistë televizive.
“Asnjë qytetar nuk ka mbetur pa marrë shërbim, të jesh në autoambulancë është njësoj si të jesh në një minispital. Këto autombulanca që shikoni duke pritur përpara spitalit presin pacientët që dalin nga spitali të shërohen dhe shkojnë në shtëpi. Në QSUT është shtuar numri i autoambulancave se është shtuar edhe numri i spitaleve. Ka shtretër të lirë në COVID3, në Infektiv ka dinamikë shtretërish. Covid3 është i mbuluar me mjekë. Sot kishim 39 të shtruar në Covid3”, – nënvizoi ajo.
Lidhur me mungesën e mjekëve reanimatorë, Manastriliu tha se ky është një fenomen që ndodh në të gjithë botën.
“Reanimatorët janë profesionet më të kërkuara, jo vetëm këtu, por në të gjithë botën. Çështja e reanimatorëve është një gjë, siç janë të rëndësishëm edhe pneuomologët, edhe infeksionistët, edhe laborantët, edhe infermierët”, u shpreh Manastirliu.
Ministrja shtoi se gjithashtu se “kemi përgatitur në stategjinë tonë të vjeshtë-dimrit kapacitete për të përballuar rastet dhe shumëfishimin e rasteve krahasuar me korrikun, gushtin dhe shtatorin”./k.s/j.p/
